Bashkia e re Shijak shtrihet në një zonë fushore dhe kodrinore përgjatë lumit Erzen.
Shijaku është një qytet i pasur me burime ujore, ekonomia në vend është e orientuar kryesisht te tregtia, industria fasone dhe ajo përpunuese e prodhuese. Firmat private numërohen 263 subjekte nga të cilat 17 klasifikohen si biznes i madh dhe 246 si biznes i vogël.
Këto biznese operojnë kryesisht në fushën e shërbimeve, tregtisë dhe me pak në fushën e prodhimit dhe ndërtimit.
Shijaku është një zonë që ka patur rritje të popullsisë gjatë dekadave të fundit si pasojë e migrimit nga zonat veri-lindore të Shqipërisë.
Duke parë ndryshimin e madh midis popullsisë rezidente dhe asaj prezente në regjistrat civilë vihet re se, zona është e prekur ndjeshëm nga emigracioni. Remitancat e emigrantëve kanë luajtur një rol të madh në zhvillimin e zonës, kryesisht në Shijak dhe Xhafzotaj.
Rritja e popullsisë si dhe emigrimi kanë sjellë shumë ndërtime të reja përgjatë 25 viteve të fundit të cilat janë ndërtuar pa një plan të mirëfilltë zhvillimor. Bujqësia është orientuar drejt produkteve me vlerë të lartë të shtuar si kultivimi i perimeve dhe foragjereve, mbarështimi i bagëtive dhe pemëtarisë. Karakteristikë e komunitetit është kultivimi i perimeve e foragjereve dhe zgjerimi gjithnjë në rritje i sipërfaqes së vreshtave, pemëtoreve dhe ullishtave, dhe në zonat kodrinore kultivimi i barbunjës së hershme dhe i bostanoreve.
Por një pjesë e tokës bujqësore ka mbetur e papunuar ndërsa shumë toka janë të rrezikuara nga lumi Erzen, të cilit i janë marrë sakaq pjesa më e madhe zhavorrit duke hequr për rrjedhojë edhe barrierën natyrore të tokave në të dy krahët e lumit.
Legalizimi i banesave të ndërtuara pa leje është një shqetësim i vazhdueshëm i banorëve të qytetit siçështë edhe transporti i dobët publik drejt Durrësit, ku një pjesë e popullsisë udhëton për të punuar.