Bashkia Shijak do të zhvillojë dëgjesën publike për prioritetet e Programit Buxhetor Afatmesëm 2027–2029. Banorëve të Shijakut dhe të njësive administrative Xhafzotaj, Maminas e Gjepalaj do t’u paraqiten burimet financiare, shpenzimet dhe investimet e planifikuara për tre vitet në vijim.
Prioritet i programit mbetet infrastruktura rrugore, me investime në të gjitha njësitë administrative. Programi përfshin gjithashtu përmirësimin e shërbimeve publike, rehabilitimin e hapësirave të gjelbra dhe strehimin social. Do të vazhdojnë edhe politikat lehtësuese për familjet në nevojë dhe për personat me aftësi të kufizuara.
Qytetarët ftohen të marrin pjesë dhe të shprehin mendimet dhe sugjerimet e tyre për nevojat më urgjente të lagjeve dhe fshatrave. Kontributi i tyre do të merret parasysh gjatë finalizimit të programit buxhetor.
Pjesëmarrja juaj ka rëndësi. Bashkë për një Shijak me shërbime më të mira dhe zhvillim të qëndrueshëm.
