TIRANË, 10 shtator/ATSH-A. Fortuzi/-

Bashkia e Shijakut është bashkia e parë që do të nisë në javën e tetorit hapjen e themeleve për ndërtimin e banesave kolektive (pallateve), të cilat u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit të shkuar.

Elton Arbana, kryebashkiaku i Shijakut, gjatë një prononcimi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare bëri të ditur gjithashtu se krahas rindërtimit, Bashkia e Shijakut është fokusuar edhe në investime strategjike, si dhe turizëm.

Arbana, duke folur për rindërtimin, tha se në Bashkinë Shijak po vijon me ritme të shpejta rindërtimi i tre institucioneve arsimore. “Në Bashkinë e Shijakut ka nisur procesi i rindërtimit për tre objekte arsimore, pjesë e paketës të 143 objekteve arsimore që po ndërtohen në të 11 bashkitë. Ka filluar dhe procesi i rindërtimit të shtëpive individuale, ku janë 508 shtëpia individuale që po rindërtohen, pasi u dëmtuan në mënyrë të pariparueshme nga tërmeti i nëntorit të shkuar. Jemi në pritje dhe të nisjes së punimeve edhe për 292 të banesa të tjera individuale që do të fillojnë rindërtimin së shpejti”,- tha Arbana.

“Në Bashkinë e Shijakut janë 30 banesa kolektive që janë demoluar dhe është bërë evadimi i mbetjeve dhe ka nisur dhe procesi i Rindërtimit,  me fazën e parë të infrastrukturës së brendshme. Në javën e parë të tetorit, Bashkia e Shijakut do jetë bashkia e parë që do nisë hapjen e themeleve për ndërtimin e pallateve”,- tha Arbana.

Kreu i Bashkisë së Shijakut garantoi se të gjithë banorët që kanë mbetur pa banesa për shkak të tërmetit po trajtohen me bonus qiraje dhe do trajtohen me këtë bonus deri sa të hynë në shtëpinë e re. “Të gjithë qytetarët që kanë jetuar në këto pallate janë përfitues dhe trajtohen direkt me bonus qiraje. Këtë bonus do ta përfitojnë deri në momentin që do të kenë shtëpitë e tyre të reja”, tha ai.

Lidhur me nisjen e vitit të ri shkollor, Arbana tha se janë marrë të gjitha masat. “Bashkia e Shijakut në bashkëpunimi me  ZVA (Zyrën Vendore Arsimore), ka marrë masat për të akomoduar të gjithë nxënësit tanimë që shkolla e tyre po rindërtohet nga e para. Kemi marrë të gjitha masat që shkollat pritëse të kenë mundësi të akomodojnë këto nxënës deri sa të mbarojnë shkollat e tyre, që tanimë ka nisur, sigurisht duke respektuar protokollet e Ministrisë së Shëndetësisë pasi jemi duke kaluar dhe pandeminë COVID-19”,- thekson Arbana.

“Në Bashkinë e Shijakut përpos ndërtimeve që janë për shkak të tërmetit, kemi patur prioritet disa ndërtime të tjera, infrastrukturën dhe rrjetin e brendshëm të ujësjellësit, i paprekur për 60 vite. U bë dy muaj që ka nisur puna për rregullimin e infrastrukturës së rrjetit të ujësjellësit që qytetarët të kenë 24 orë ujë në ditë. Gjithashtu është bërë i mundur dhe shtrimi dhe asfaltimi i rrugës Katër Rrugët-Rrushbull, e cila ishte kthyer në një gangrenë për 25 vite”,- tha Arbana.

Duke folur për turizmin, Arbana tha se agroturizmi mbetet një prioritet. “Në Bashkinë e Shijakut janë 14 fshatra ku çdo fshat ka nga një liqen, çka është një mundësi e mirë për agroturizëm. I jemi drejtuar dhe ministrisë së Bujqësisë për të punuar për të zhvilluar zonën në drejtim të agroturizmit”,- tha Arbana për ATSH.